Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se në komunat veriore të vendit janë shpërndarë fletushka që bëjnë thirrje për rezistencë nga serbët dhe nxitje të urrejtjes.
Ai është shprehur se në këto fletushka bëhet thirrje për sulm ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve që punojnë në institucionet e Kosovës dhe jepen instruksione se si të përdoren shishet me benzinë.
“Kjo është shqetësuese për shumicën e popullatës serbe, sepse aty bëhet thirrje për ta sulmuar policinë e Kosovës, e po ashtu aty jepen edhe njohuri se si të përdoren shishet me benzinë. Aty po ashtu bëhet thirrje të sulmohen edhe zyrtarët që punojnë në institucionet e Kosovës sidomos në ato komunale”, tha Ugljanin në emisionin Info Magazine.
Të hënën, një grup i qytetarëve serbë kanë mbajtur protestë duke kundërshtuar zbatimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila si valutë të vetme për pagesa në Kosovë, e njeh vetëm Euron.