Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas pyetjes së gazetarëve ka folur edhe për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ndërhyrje në zgjedhjet e Maqedonisë.
Pendarovski ka thënë se nuk i komenton deklaratat për ndërhyrjen e burrshtetasve tjerë në zgjedhjet e Maqedonisë, por ai ka treguar se çka ka biseduar me Kurtin për zgjedhjet në Maqedoni, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Nuk dua të komentoj përfaqësuesit e jashtëm, që sipas gjitha gjasave kanë edhe ata ndonjë agjendë të brendshme, e janë duke komentuar një shtetas tjetër për ndërhyrje në zgjedhjet e Maqedonisë. Unë kam biseduar edhe me zotëri Kurtin në Prishtinë, se mbështetja e tij për njerëz të Maqedonisë nuk bën problem. Këtu nuk bëhet fjalë për shtetas të huaj që do marrin pjesë në zgjedhjet tona, pasi kjo nuk lejohet. Të gjithë këto njerëz që përmenden në media si njerëz të tij, janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje. Mbështetje politike, Kurti mund t’i jep kujt të dojë. Këtë, për shumë vite e bëjnë edhe parti tjera evropiane të cilat janë si motër me ndonjë parti e brendshme. Këtu nuk shoh ndonjë problem” tha Pendarovski.
Pendarovski sot ishte për vizitë në Universitetin e Tetovës ku ligjëroi para studentëve. Ai sot nga Tetova foli për tema të ndryshme për ngjarjet politike në vend.