Kur drejtimi i një institucioni kalon nga qeverisja qendrore në atë lokale, lëkund themelet e sigurisë së atij vendi.
Të pasigurtë nga ndryshimet që po i prisnin u ndjenë të gjithë, që nga udhëheqësit deri te banorët rezidentë të Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë, në fillim të vitit të kaluar.
Kur ky institucion kaloi nga ombrella e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nën kompetencat e Komunës së Prishtinës, drejtoresha Raze Aliçkaj nuk ishte edhe fortë e qetë dhe rehat me vendimin.
Gjithçka ndryshoi kur u sigurua që pjesa buxhetore nuk do të ketë ndryshime dhe të moshuarit që strehohen në institucionin ku ajo drejton do të vazhdojnë të jenë të sigurtë.
Të moshuarit i shqetësonte fakti se me ndryshimin e kompetencave, do të ndryshojnë kushtet e tyre për të keq. Madje kishte të tillë që edhe e kundërshtuan ndryshimin.
Sipas Aliçkaj, pasi që komuna u përkujdes që të ofronte informatat e duhura, dhe mesazhet u përcollën te banorët, qasja e tyre ndryshoi.
Udhëheqsja e Shtëpisë për të Moshuar dhe Pa Përkujdesje në Prishtinë, u shpreh e kënaqur me punën e deritanishme të zyrtarëve të Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në kuadër të Komunës së Prishtinës.
Nën këtë drejtim, Aliçkaj tha se po ka mundësi që të organizojnë më shpesh takime, gjë e cila shpeshherë mungonte gjatë kohës kur ishin nën direktivat e ministrisë.
Në një intervistë për KIKS-in, ajo theksoi se ky institucion ka nevojë për ngritje të standardeve të jetesës, gjë e cila do t’u ndihmonte edhe stafit që të bënin një punë edhe më të mirë.
Kërkesa kyçe nga ky institucion drejtuar qeverisjes së kryeqytetit ishte përmirësimi i infrastrukturës në këtë objekt. Kjo kërkesë, sipas Aliçkaj, u morr parasysh meqë plani për ndërtimin e një objekti të ri për këta të moshuar po shkon drejt finalizimit.
Sipas këtij planifikimi, ndërtesa e re do të ndërtohet brenda hapësirëz ekszistuese. Tashmë, komuna ka angazhuar një arkitekt i cili do të bëjë një raport të fizibilitetit dhe projekt për ndërtimin e objektit të ri.
Në planet e përbashkëta të këtyre dy institucioneve është edhe ushqimi i 57 të moshuarve që jetojnë aty. Sipas Aliçkajt, ushqimi nga Kuzhina Qendrore do të jetë një ndryshim i madh për banorët.
Ndryshim pritet të bëhet edhe tek kriteret e pranimit në këtë institucion. Inciativë që kishte filluar prej kohës kur Shtëpia e të Moshuarve funksiononte nën Ministri, ishte ndryshimi i një kriteri diskriminues.
Kujtojmë se Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë është përballur vazhdimisht me problemet e mungesës së energjisë elektrike, nxemjes dhe mungesës së ujit të nxehtë.
Po ashtu, Kiksi kishte raportuar për dyshime mbi keqtrajtimin e personave brenda Shtëpisë nga vet personeli i cili përkujdeset për ta në kuadër të institucionit. Për këtë, Policia e Kosovës kishte filluar hetimet në nëntor të vitit 2022.