Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, do të vizitojë Kosovën me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e qeverisë malazeze më 14 shkurt.
Gjeloshaj thotë se me atë rast është aprovuar platforma që ai ta vizitojë Kosovën dhe të marrë pjesë në kremtimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
“Mali i Zi e ka njohur pavarësinë dhe vazhdon të ketë bashkëpunim shtetëror me Kosovën”, ka thënë Gjeloshaj ndër të tjera.
Ai njoftoi se ftesa për pjesëmarrje në këtë solemnitet është dërguar nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryparlamentari Glauk Konjufca.
“Kjo konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore midis dy shteteve”.
“Në emër të Qeverisë së Malit të Zi do t’ua uroj 16 vjetorin e Pavarësisë drejtuesve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkroi Gjeloshaj në Facebook.