Prokurori i posaçëm amerikan David Weiss akuzoi një ish-informator të FBI-së se kishte gënjyer për përfshirjen e Presidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden në marrëdhëniet e biznesit me kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma Holdings”, duke ndërprerë kështu hetimin për shkarkim të presidentit nga ana e republikanëve.
Alexander Smirnov, 43 vjeç, po përballet me akuza në lidhje me gënjeshtrën ndaj FBI-së dhe krijimin e të dhënave të rreme. Ai u arrestua të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid në Las Vegas, pas mbërritjes së tij në ShBA nga jashtë.
Aktakuza prej 37 faqesh pretendon se Smirnov kishte qenë një burim konfidencial për FBI-në që nga viti 2010 dhe “i dha FBI-së informacion të rremë nënçmues” për të dy Bidenët pasi Joe Biden u bë kandidat për president në vitin 2020.
Ai po përballet me një akuzë për deklaratë të rreme ndaj një agjenti qeveritar dhe falsifikimin e të dhënave në një hetim federal.
Smirnov dyshohet se i tha FBI-së – në mënyrë të rreme – se zyrtarët e “Burisma”, kompania ukrainase e energjisë për të cilën punonte Hunter Biden, i kishin thënë atij se punësuan Hunter Bidenin sepse ai do të “na mbronte, nëpërmjet babait të tij, nga të gjitha llojet e problemeve”. Smirnov dyshohet se i tha FBI-së – përsëri, në mënyrë të rreme – se zyrtarët e “Burisma” i kishin thënë atij se i kishin paguar Hunter Biden dhe Joe Biden 5 milionë dollarë dhe se hetuesve do t’u duheshin 10 vjet për të gjetur pagesat e paligjshme ndaj Joe Bidenit.
Një burim i njohur me këtë çështje i tha “NBC News” se Hunter Biden nuk e njeh individin që u akuzua dhe nuk beson se ai e ka takuar ndonjëherë.
Një avokat i Hunter Biden tha për “NBC News” se republikanët ishin paralajmëruar se ata “ndërtuan komplotet e tyre për Hunterin dhe familjen e tij mbi gënjeshtra të thënë nga njerëz me agjenda, jo fakte”.
“Ky është vetëm një shembull tjetër i Kryetarit [James] Comer dhe [kongresistit Jim] Jordan që bëjnë gënjeshtra të bazuara në pretendime dhe dëshmitarë të pandershëm, të pabesueshëm”, vazhdoi në deklaratë Abbe Lowell, avokati i Hunter Biden.
Anëtari i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, Jamie Raskin, bëri thirrje për t’i dhënë fund hetimit për shkarkim pas publikimit së padisë kundër Smirnovit.
Deklarimi i Smirnovit ishte kritik për hetimin e republikanëve për shkarkimin e presidentit.
Por sipas aktakuzës, pretendimet e Smirnovit në FBI, të cilat ai i bëri fillimisht në qershor 2020, “ishin trillime” dhe, në të vërtetë, ai “kishte kontakt me drejtuesit nga Burisma vetëm në vitin 2017”, kur Joe Biden kishte lënë detyrën si nënkryetar dhe “nuk kishte aftësi” për të ndikuar në politikën e ShBA-së.
“Me pak fjalë, i pandehuri i transformoi kontaktet e tij rutinë dhe të jashtëzakonshme të biznesit me Burisma në vitin 2017 dhe më vonë në akuza për ryshfet kundër [Joe Bidenit], kandidati i supozuar i një prej dy partive kryesore politike për President, pasi shprehu njëanshmëri kundër [Joe Biden] dhe kandidaturës së tij”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza gjithashtu thekson se Smirnov “përsëriti disa nga pretendimet e tij të rreme” pasi u intervistua nga agjentët specialë të FBI-së shtatorin e kaluar – pasi marrëveshja për pranimin e fajësisë së Hunter Bidenit u prish atë verë – ndërsa Smirnov “ndryshoi rrëfimin e tij në lidhje me pretendimet e tjera të tij dhe promovoi një narrativ të ri të rremë pasi tha se u takua me zyrtarë rusë”.
Smirnov shkroi në një prej mesazheve të majit 2020 drejtuar menaxherit të tij të FBI-së se Joe Biden “do të shkojë në burg” dhe la të kuptohet se ai e dinte se disa nga akuzat “duhet të jenë së shpejti në lajme”.
Smirnovit iu tha të paktën shtatë herë se mund t’i duhet të dëshmonte në lidhje me informacionin që i dha FBI-së dhe u këshillua nga zyrtari FBI-së të paktën 21 herë që t’i tregonte të vërtetën byrosë, thotë aktakuza.