Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Konferencën e Sigurisë në Munih do të diskutohet për sfidat më kryesore të sigurisë.
Në mesin e tyre, ajo përmendi Kosovën dhe rajonin.
“Në Munih për MSC2024, për të shkëmbyer pikëpamjet mbi disa prej sfidave më urgjente të sigurisë – përfshirë rritjen e kërcënimeve të sigurisë ndaj Kosovës dhe rajonit”.
“Në takime të nivelit të lartë, do të theksoj imperativin për veprim për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Gërvalla në platformën X.
Në ndërkohë, Gërvalla njoftoi se ka zhvilluar një takim “të shkëlqyer” me Kryepeshkopin Paul Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.
“Diskutuam një gamë të gjerë temash, duke përfshirë përparimin e Kosovës në treguesit demokratikë dhe lirinë fetare”, shkroi Gërvalla.
Në këtë ngjarje, pjesëmarrës nga Kosova do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti, sikurse edhe nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.
Nga niveli botëror, në konferencë do të marrin pjesë edhe Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antoniop Guterres, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e të tjerë.