Dukagjini ka fituar në frymën e fundit me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Lirisë në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Klinasit kanë marrë një fitore mes plotë vuajtjeve në terrenin e tyre ndaj ndaj prizrenasve.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç rasteve shënuan edhe një gol.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 14-të dhe ishte Iljasa Zulfiji, i cili shënoi për 1-0 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, prizrenasit ishin dukshëm skuadër më e mirë, më kërkuese dhe krijuan më shumë, por edhe shënuan golin e parë.
Goli i barazimit erdhi në minutën e 70-të me anë të mbrojtësit Rigon Spahiu, i cili shënoi për 1-1.
Pas këtij goli, Liria pati edhe disa raste për golin e fitores, por ishin vetëm vendasit që fituan një penallti pas rishikimit disa minutësh të VAR-it dhe e konkretizuan pas dy tentimeve.
Fillimisht portieri Stivi Frashëri e priti goditjen e parë nga Gentrit Salihu, por gjyqtari e ktheu penalltinë, të cilën kësaj radhe e ekzekutoi Blerind Morina, të cilit gjithashtu ia priti portieri, por nga topi i kthyer shënoi golin e fitores 2-1.