Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri, është e lidhur ngushtë me heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Pas konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, presidentja potencoi se me konfirmimin e rezultateve për largimin e kryetarëve veriorë, do t’i caktoj zgjedhjet e reja lokale, me afat 30 deri në 45 ditë.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, natyrisht në përputhje me ligjin e procedurat e parapara. Përveç kësaj, Ministria përkatëse ka miratuar një udhëzim administrativ që parasheh procedurat, KQZ-ja është brenda atyre afateve të parapara me udhëzim administrativ. Për aq sa jam e informuar, jemi duke proceduar me konfirmimin final të këtyre nënshkrimeve dhe besoj që shumë shpejt KQZ-ja do të mblidhet për ta miratuar atë që quhet plan operacional, e që parasheh datat e të gjitha procedurave të tjera, përfshirë se kur do të mbahet largimi i kryetarëve. Menjëherë pasi të konfirmohen rezultatet e largimit të kryetarëve, të cilat kërkojnë mbi 50 përqind të të gjithë trupit votues që votojnë pro, në qoftë se ndodhë një gjë e tillë, midis 30 deri në 45 ditësh është afati brenda të cilit unë si presidente i caktoj zgjedhjet e reja lokale”, deklaroi Osmani në një prononcim të shkurtër për media.
Tutje, Osmani vlerësoi që kjo e drejtë e qytetarëve të cilët kërkojnë largimin e kryetarëve, tashmë është e paraparë me ligjet e aplikueshme në Kosovë./teve1.info/.