Dëshmitarët e seancës së 27.02.2024 dëshmuan rreth procedurës së verifikimit të statusit të veteranit nga zinxhiri komandues.
Fillimisht dëshminë e dha Maliq Ndreca, komandant i Brigadës 132 i Zonës Operative të Dukagjinit.
Në dëshminë e tij, Ndreca tha se i qëndron prapa të gjitha aplikimeve të cilat i ka nënshkruar për t’u aprovuar statusin e veteranit.
Më tutje, ai sqaroi hierarkinë e procedurës së verifikimit të këtij statusi.
“Komandanti i brigadës është në hierarki më i lartë sesa komandantët e tjerë. Roli im (si komandant i brigadës) ka qenë me i konfirmu të gjithë ata që kanë pasë më afrimitet me ushtarët e vet” – tha dëshmitari.
Dëshmitari i radhës ishte Hysni Ahmeti, komandant i Brigadës 141 të Zonës Operative të Shalës.
Edhe Ahmetifoli rreth procedurës së verifikimit të detyrave të personave të cilët kishin aplikuar për statusin e veteranit.
“Procedurë shumë e thjeshtë. E kam marrë aplikimin dhe e kam lexuar, i kam thirrë me emër dhe janë lajmëruar secili komandant përgjegjës për ushtarin e vet. E kanë marrë aplikacionin dhe e kanë nënshkru, komandanti i batalionit, i togut dhe i kompanisë, e pastaj ka mbërri tek unë” – tha dëshmitari Hyseni.
Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Enver Oruçi, i cili kishte qenë komandant i Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës.
Oruçi tha se nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur lëshime eventuale në procesin e verifikimit.
“Jemi mundu me bo punën më të mirë, mirëpo nuk muj me garantu që nuk ka pasë ndonjë gabim apo lëshim të vogël, sepse nuk kam qenë vetëm unë në atë proces” – u shpreh dëshmitari Oruçi.
Dëshmitarët u përgjigjën në pyetjet e prokurorit Dren Paca dhe të avokatit Ramë Gashi, i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Agim Çeku.
Gjatë tërë seancës prokurori Paca i parashtroi secilit dëshmitar pyetje lidhur me aplikuesit të cilët në UÇK kanë qenë të angazhuar në logjistikë si dhe në sektorin e gatimit.
Dëshmitari Oruçi gjatë dëshmisë së tij rrëfeu edhe pjesën që kishte të bënte me përgatitjen e ushqimit për pjesëtarët e UÇK-së.
“Ka ushtarë që është kyçur si ushtar por me masivizimin e ushtrisë kur kanë gjetë ndonjë shtëpi apo lokacion ku kanë qëndru dhe janë përgatitë, ushqimin është dashur aty me përgatitë dhe dikush nga ushtarët është caktuar të kryejë atë detyrë” – ishte përgjigjja e dëshmitarit.
Për të njëjtën çështje u përgjigj edhe dëshmitari Idriz Shabani, komandant i Brigadës 151 të Zonës Operative të Llapit.
Në pyetjen e prokurorit se a ka pasur aplikime që në segmentin e përshkrimit të detyrave thotë se aplikuesi ka qenë bukëpjekës, dëshmitari tha se “po, ka pasë edhe asi, bukëpjekës e kuzhinier”.
Në fund u dëgjua edhe dëshmitari Arif Muçolli, komandant i Brigadës 152 në Zonën Operative të Llapit, i cili njëlloj u përgjigj në pyetjet e prokurorit dhe avokatit Gashi lidhur me procedurat e verifikimit.
Rasti po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Kushtrim Shyti.
Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 dhe seanca e parë e rigjykimit u mbajt me 31.10.2023.
Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun, për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit në mënyrë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga ky status.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.