Drenusha Latifi, ish-miss Kosova, pasi ka ndarë si prova materiale fotografitë e lëndimeve që ka marrë, ku dyshohet për ushtrim dhune nga ish bashkëshorti i saj, është ankuar edhe për trajtim joprofesional nga policia.
Latifi së bashku me avokaten, Saranda Keqekolla, përmes një letre i janë drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për rastin e dhunës në familje.
Ajo është ankuar për neglizhencë të rastit nga policia.
Sipas Keqekollës, Latifi ishte marrë në pyetje që nga hyrja e stacionit nga zyrtarë të shumë, ku sipas saj, edhe pse dhuna në familje duhet të trajtohet nga hetues të posaçëm e të profilizuar për dhunë në familje.
Ajo tutje thotë se deklaratat e Latifit ku thoshte se ndihet e rrezikuar për jetë, policia fillimisht ia kishin interpretuar prokurores së rastit nëpërmjet telefonit, e që pas insistimit, të njëjtës i është dërguar deklarata me shkrim e të dëmtuarës.
“Ankesat e viktimës konsistojnë në atë se e njëjta po hasë në neglizhencë të trajtimit të rastit nga Zyrtarët e Policisë së Stacionit në Fushë Kosovë. Prandaj kërkojmë që të merren masa ndëshkuese”, thuhet në letër.
Ndryshe ish-bashkëshorit i ish-missit Drenusha Latifi, Atila Kardes, është shoqëruar në Polici pasi ka shkelur një nga nenet e vendimit që Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë kundrejt tij, që të mos i afrohet ish-gruas së tij dhe të mos komunikojë në asnjë mënyrë me të.