Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi, në fjalën e tij në konferencën vjetore të prokurorëve, ka thënë se për herë të parë kanë shënuar sukses në fushën e ngrirjes, sekuestrimit dhe konfiskimit.
Kelmendi, vuri në pah se në vitin e kaluar kanë sekuestruar, ngrirë dhe konfiskuar pasuri në vlerë 111 milionë euro.
“Për herë të parë kemi shënuar sukses edhe në fushën e ngrirjes, sekuestrimit dhe konfiskimit. Ku vlera e pasurisë së ngrirë dhe sekuestruar është afër 88 milionë euro. Ndërsa vlera përfundimtare të aseteve të konfiskuara është 24 milionë euro, thënë ndryshe në përgjithësi sekuestrim ngrirje konfiskim në vitin e kaluar mbi 111 milionë euro”, u shpreh Kelmendi.
Ai tutje përmendi edhe punën që është bërë në vitin e kaluar në rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik.
“Një rëndësi të veçantë është puna edhe rreth rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Prokurori i shtetit 2023 ka pranuar në punë 1182 raste me 2192 persona dhe nga këto ka përfunduar 920 raste me 1622 persona, ndërsa të krimet ekonomike kemi arritur një sukses duke përfunduar 446 raste nga 583 persona”, tregoi ai.
Kelmendi në lidhje me punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës tregoi se është bërë shumë në lidhje me krimet e luftës.
“Lidhur me krimet e luftës edhe pse në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX-it pritjet ishin më të madha, nuk kishim rezultate të kënaqshme, ndërsa kur Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë kompetencat tani janë bërë shumë hapa pozitiv për fuqizimin dhe kryerjen e rasteve në departamentin e luftës, duke ngritur të gjitha kapacitet në përputhje me strategjinë, ku vetëm në vitin 2023 PSRK-ja ka zgjedhur 20 raste të tilla”, theksoi ai.
Ai theksoi se në vitin 2023 prokurori i shtetit e ka trajtuar rastet edhe me terrorizëm duke përfunduar 24 raste me 26 persona.