KOMF publikon Raportin e Monitorimit: Kosova vlerësohet me nota të ulëta sa i përket mirëqenies së fëmijëve

KOMF publikon Raportin e Monitorimit: Kosova vlerësohet me nota të ulëta sa i përket mirëqenies së fëmijëve

KOMF përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook kanë njoftuar se tanimë është publikuar raporti i parë i monitoruar nga “Karta e Vlerësimit”, raporton Gazeta “Enigma”.

“KOMF, ka publikuar Raportin e parë të Monitorimit “Karta e Vlerësimit” – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve? Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, institucioneve tjera, agjencive ndërkombëtare,  organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre “qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë”.

Tutje ata kanë njoftuar se “fushat në të cilat është analizuar progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur”. 

Ky projekt u bazua në sistemin e notimit nga nota një deri në pesë.

“Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë. Raporti është hartuar nga 24 bashkë-autorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF, të cilët kanë ofruar vlerësimin e fushave përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë. Raporti me të gjetura dhe rekomandime u prezantua nga autorë të raportit, z. Gani Lluga, z. Besim Kodra, znj. Rema Krasniqi dhe znj. Fatmire Haliti”.

“Karta e Vlerësimit është zhvilluar nga KOMF, në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, i cili mbështetet nga Unicef Kosovo Programme në partneritet me USAID Kosovo”, thuhet në njoftimin e publikuar nga KOMF. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles