Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë.
Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.
“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit”, tha ai.