Gjykata e Apelit ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të publikuar në shtator të vitit të shkuar ku është thënë se Universiteti i Prishtinës ka zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme strukturat udhëheqëse.
Disa ish-studentë senatorë kanë paditur Universitetin e Prishtinës se në mënyrë të kundërligjshme më datën 24.06.2022 nuk janë lejuar të votojnë në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Kolegji i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është kundërthënës.
“Duke ekzaminuar aktgjykimin e ankimuar, shkresat e lëndës edhe sipas pretendimeve ankimore të paditurës gjen se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 par.2 dhe neni 183 i LPK-së se është juridikisht i paqartë , kundërthënës me vet veten dhe arsyetimin e tij, po ashtu jo i plotë lidhur me vërtetimin e gjendjes faktike”, është thënë në aktvendimin e gjykatës së shkallës të dytë, departamenti për Çështje Administrative.