Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se anëtarësimi eventual i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë, duke shtuar se Beogradi nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”.
Ai tha në këtë situatë, Serbia nuk udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat shtetërore dhe kombëtare, “por ne po luftojmë gjithashtu për respektimin e vlerave demokratike, mirësjelljes dhe sensit të përbashkët në marrëdhëniet ndërkombëtare në kontinentin tonë”.
Petkoviqi, në njoftimin për media të kësaj zyre, i ka bërë thirrje anëtarëve të KiE-së që të kenë parasysh, kur të vendosin për anëtarësimin e Kosovës, “se një rezultat i tillë do të ishte një precedent që do të shkatërronte parimet themelore të asaj organizate, dhe sigurisht që do të ishte edhe një gjest armiqësor ndaj Serbisë, e cila deri më tani ishte një anëtare aktive dhe e përkushtuar e asaj organizate ndërkombëtare”.
Shefi i kësaj zyre ka thënë se “është e qartë se ka një dëshirë dhe nxitim për zgjidhjen e çështjes” së Kosovës “për shkak të disa interesave gjeostrategjike të cilat nuk kanë të bëjnë shumë as me Beogradin dhe as me Prishtinën, por ata që vendosin për këtë çështje le të mendojnë me kujdes nëse Anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, ose do të ketë efektin e kundërt”.
Ndër të tjera, Petkoviqi ka thënë se në të ardhmen, kryeministri Albin Kurti mund të propozohet për Çmimin Nobel për Paqe, por ka shtuar se shpërblimi ndaj tij do të vijë “për shtypjen e përditshme të serbëve dhe komuniteteve të tjera joshqiptare në Kosovë”.
Dje, më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis.
Raporti rekomandoi që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Megjithatë, i njëjti mori 31 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.
Votat kundër ishin dy nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina. Ndërkaq, Greqia abstenoi.
Që Kosova të bëhet anëtare e plotë e KiE-së, i duhet t’i kalojë edhe dy hapa.