Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Miroslav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se Lajçak do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Të njëjtat burime i thanë REL-it se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë. Ky post po ashtu ka rangun e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.
Kur të konfirmohet edhe zyrtarisht, Orav do ta zëvendësojë në këtë post në Prishtinë ambasadorin aktual, Tomas Szunyog.