Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë si panelist në Konferencën e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, së bashku me politikanë, ushtarakë, deputetë dhe diplomatë.
Hoxhaj në këtë konferencë foli për periudhën e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarjet më kryesore të dy shteteve.
“Pas pavarësisë së Kosovës më 2008, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 është ngjarja e dytë që shënoi ngritjen e shqiptarëve në Ballkan si faktor rajonal dhe sot Shqipëria mbushi 15 vjet si pjesë e kësaj Aleance më të rëndësishme ushtarake dhe politike në botë! Ishte kënaqësi sot të isha panelist në Konferencën e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, së bashku me politikanë, ushtarakë, deputetë dhe diplomatë, ku ndamë mendimet tona rreth kërcënimeve të sigurisë në Ballkan dhe të ardhmës së Kosovës në institucionet atlantike!”
Hoxhaj tutje theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO i shërbejnë stabiliteti rajonal.
“Edhe pas çlirimit të Kosovës më 1999 dhe pavarësisë së saj, anëtarësimi i Shqipërisë, por edhe i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal janë kërcënuar më shumë se kurrë përshkak të rikthimit të historisë me përbindshat e saj, Rusinë në Evropë dhe Serbinë në Ballkan!”
Ai më tej thotë se lufta në Ukrainë, dhe mospërmbyllja e konflikteve në Ballkanin Perëndimor, rrezikojnë sigurinë në Evropë për shkak të Rusisë dhe Serbisë në Ballkan.
“Tensionet në rajon janë jo për shkak të luftës në Ukrainë, por për shkak të mospërmbylljes së konflikteve si rezultat i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe mosanëtarësimit të saj në OKB, gjë që Rusia e ka përdorur këtë situatë për ta luftuar diplomatikisht perëndimin dhe Kosovën globalisht! Përshkak të kërcënimeve të sigurisë nga ana e Serbisë dhe gabimeve strategjike të Qeverisë së Kosovës, Kosova nga një shtet i cili ishte faktor paqeje dhe stabiliteti më 2008 dhe nga një eksportues i sigurisë, është duke u shndërruar në një konsumues të sigurisë, sikurse po tregon edhe rritja e numrit të trupave të KFOR-it, por edhe trajtimi ndërkombëtar i Kosovës!”
Hoxhaj në fund thekson se lufta në Ukrainë ka zgjuar shtetet perëndimore për të investuar më shumë në ushtri dhe i ka hapur sytë shteteve të Evropës që kontinenti ende ka rreziqe për luftëra dhe konflikte tjera. Ai më tej ka thënë se FSK duhet të forcohet edhe më shumë se sa që është aktualisht, dhe të anëtarësohet sa më shpejtë në NATO.
“Lufta në Ukrainë solli një rizgjim gjeopolitik të BE-së dhe të NATO-s, por kjo nuk u përcoll as me ndryshime të mëdha politike, as me hapa konkret, gjë që sot për shkak të kërcënimeve të Serbisë më shumë ka një politikë të rritjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, në vend se siguria e saj të arrihej me anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO dhe rritjen e plotë të kapacitetit të FSK-së! Në një situtatë të re të sigurisë, Kosova jo vetëm se e meriton marrjen e Planit për Veprim për Anëtarësim (MAP), por meriton edhe ftesën për anëtarësim të plotë meqë ne plotësojmë kushtet po aq sa fqinjët tanët!”