Kurti: Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në Ballkan

Kurti: Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se parimi i qeverisjes së tij ishte: Rritja është e qëndrueshme atëherë kur ajo shpërndahet.



Kurti përmes një shkrimi në “Facebook” ka folur për të arriturat e Qeverisë që sipas tij, iu kanë qëndruan pranë familjeve që nuk kishin asnjë të punësuar.

Madje, sipas Kurtit, Qeveria e tij ka pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në Ballkan si përqindje e Bruto Produktit Vendor.

Shkrimi i plotë:

Shteti dhe shoqëria përparon atëherë kur askush nuk mbetet mbrapa. Rritja është e qëndrueshme atëherë kur ajo shpërndahet. Këto kanë qenë parimet e qeverisjes sonë.

I kemi qëndruar besnik premtimit për nënat lehona dhe fëmijët nën moshën 16 vjeçare, që për herë të parë po marrin mbështetje nga shteti i tyre. Ata gjithmonë kanë qenë aty. Por shteti nuk ka qenë aty me ta, e për ta. Gjatë qeverisjes sonë të deritanishme, mbi 55 mijë nëna lehona dhe mbi 400 mijë fëmijë janë përfitues të shtesave përkatëse.

Me programin “Qeveria për Familjet” që e nisëm në fillim të vitit të dytë të qeverisjes i qëndruam pranë familjeve që nuk kishin asnjë të punësuar. Prej atëherë mbi 2,600 familje kanë përfituar nga kjo masë e punësimit.

Në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në Ballkan si përqindje e Bruto Produktit Vendor, sipas Raportit të Bankës Botërore. Nga subvencionimi i energjisë elektrike, shtesat e njëhershme prej 100 euro e deri te subvencionimi i rritjes së pagave në sektorin privat, nga masat tona mbështetëse kanë përfituar pensionistët, qytetarët me asistencë sociale, familjet në nevojë, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat – praktikisht secila familje.

Kuzhinat popullore i kemi mbështetur si asnjëherë më parë. Për 19 prej tyre kemi ndarë 2 milionë euro. Mbështetje u kemi dhënë edhe organizatave që ndihmojnë familjet në nevojë me pako ushqimore. Përmes 42 prej tyre kemi shpërndarë afër 37 mijë pako ushqimore.

Për dimër më të ngrohtë dhe më të lirë, në muajin dhjetor të vitit të kaluar mbështetëm mbi 20 mijë familje në asistencë sociale me subvencionim të blerjes së lëndës djegëse për ngrohje. E patëm dyfishuar asistencën sociale për familjet përfituese gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2021, dhe prill dhe shtator 2022. Ndërkohë që asistencën sociale e patëm rritur për 30% krejt në fillim të mandatit.

Në shtator të vitit të kaluar gjithashtu lansuam programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike, nga i cili mbi 61 mijë familje janë kualifikuar për subvencionim të faturës së energjisë elektrike. Ndërkaq në mes të shtatorit të vitit 2022 dhe marsit 2023 mbi 208 mijë familje që kursyen energjinë elektrike përfituan nga subvencionimi i faturave të energjisë.
Mbështetja e qeverisë sonë për qytetarët tanë ka qenë më e madhe sesa që duket e thuhet edhe për shkak se përfituesit e saj më të mëdhenj janë më shumë sesaqë duken, e dëgjohen më pak sesa që duhet.

Related Articles