Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Shkak për këtë në shumë raste janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion.
Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në fshatin Zhegër në Gjilan, ku është arrestuar një person, i cili dyshohet për sulm ndaj Policisë.
Sinjali mëson se një zyrtar policor e ka dënuar shoferin e një veture, pasi i njëjti po lëvizte pa pasur patentë shofer. I revoltuar për gjobën që e mori miku i tij, pasagjeri që ndodhej në veturë është kapur me policin të cilin më pas e ka sulmuar.
Përballë kësaj situate, zyrtari policor e ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.