Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk u përgjigj drejtpërdrejt në pyetjen e gazetarëve që Serbia po e shkel marrëveshjen me themelimin e një ekipi që do ta kryesojë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për të luftuar anëtarësimin e Kosovës.
Stano përsëriti se të dyja palët do të përballen me “pasoja serioze” në rrugën integruese drejt BE-së, por nuk foli veçanërisht për Serbinë dhe veprimin e saj të fundit me të cilin shkel Artikullin 4 të marrëveshjes për moskundërshtim të Kosovës në anëtarësimin në organizata të huaja.
“Nuk do të hyj në detaje se çfarë ka njoftuar presidenti Vuçiq dhe çfarë synon të bëjë. Do të them pritshmërinë bazike të Bashkimit Europian për të dyja – nga Serbia dhe Kosova: Pa asnjë vonesë të mëtejshme të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen që të dyja u pajtuan më shumë se një vit më parë në Ohër. Kjo është e rëndësishme”.
Ai tha se zbatimi i kësaj marrëveshje është urgjenca kryesore për Bashkimin Europian.
“Nëse ata dështojnë ose vazhdojnë të dështojnë të zbatojnë atë për të cilën janë marrë vesh, pastaj do të ketë pasoja serioze. Dhe këto pasoja janë të lidhur në rrugën e integrimit. Sepse një pjesë e marrëveshjes së dakorduar është që zbatimi dhe progresi i arritur në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do jetë tani i lidhur me progresin e tyre në rrugën integruese të BE-së”.
Stano nuk përmendi pasoja specifike, por tha se ato do të ndjehen nga të dyja palët.
“Paaftësia për të zbatuar do të ndjehet nga të dyja palët në një kontekst më të gjerë për të vazhduar në rrugën europiane”.