“Të ulemi me BE-në e SHBA-në, t’i hedhim të gjitha letrat në tavolinë”

“Të ulemi me BE-në e SHBA-në, t’i hedhim të gjitha letrat në tavolinë”

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, subjekt ky më i madhi opozitar në Kuvendin e Kosovës, thotë se qeveria aktuale e vendit duhet të definojë qartë qasjen ndaj dialogut me Serbinë, fillimisht para deputetëve në Kuvend.

Për më shumë, sipas tij, ajo duhet t’i ruajë raportet me vendet partnere të Kosovës, të cilat, në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të përfshira në zhvillimet në dialog dhe rezultatet që i ka prodhuar dhe mund t’i prodhojë ky proces.

“Unë mendoj që duhet të ulemi me të gjithë faktorët, me shtetet e veçanta të Bashkimit Evropian, me BE-në, me institucionet e BE-së në Bruksel. Por, duhet të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç është ambasadori (Philip) Kosnett në Prishtinë dhe duhet t’i hedhim të gjitha letrat në tavolinë. Ne e kemi një problem që po na mundon. Ky është problemi që deklaratat e mëhershme po na pengojnë ta pranojmë realitetin. Realiteti është ky që është dhe ne duhet të ecim më tutje”, theksoi Haliti për REL-in.

Deputeti Haliti shpreh mendimin që Kosova, për të ruajtur raportet pozitive me vendet partnere, nuk duhet të përplaset me qëndrimet e tyre.

“Mendoj që Alfa dhe Omega e një shteti demokratik, e një shteti të përgjegjshëm, është që marrëveshjet që i ka bërë administrata paraprake i njeh edhe kjo dhe vazhdon me punën. Unë mendoj që axhamillëku në politikë duhet të përfundojë dhe duhet të fillojnë përgjegjësitë që të zyrtarizohet politika e jashtme e Kosovës, të zyrtarizohet politika e dialogut, sipas preferencave që ka Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Haliti.

Related Articles