Altin Gjoni është shefi i kuzhinës që ka korrur sukses në Itali. Ai ka një rrugëtim 28-vjeçar në kuzhinën dhe kulturën italiane.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Altini ka treguar se ka shkuar në Itali në moshën 16-vjeçare dhe e ka filluar me larjen e pjatave. Më vonë bëri një kurs dhe nisi punë në një kuzhinë në Siçili.
Ndërkohë, tani është një shef kuzhine, madje ka punuar dhe si shef në dhomën e Senatit Italian, ku është zgjedhur si shefi i preferuar i kuzhinës së parlamentarëve.
“Kam shkuar në Itali që në moshën 16-vjeçare. Fillimet gjithmonë janë të vështira, sidomos kur flasim për profesionin e kuzhinës. Kanë një botë krejt tjetër, kulturë tjetër. Restoranti i parë ku punova ishte dashuria ime e parë që nuk harrohet. Fillimet e mia janë në Siçili, në restorantin e peshkut, aty ku unë kam një pasion të thellë te kuzhina e detit dhe aty gjeta hapësirën time”, ka thënë ndër të tjera Altini.