Vera është prind i një vajze me çrregullim të spektrit autik.
Përkushtimi ndaj fëmijës ia bëri të pamundur vijimin e punës, pasi prej 10 vjetësh ajo është mësuesja dhe shoqja e bankës së vajzës së saj.
Por vështirësitë për prindërit e fëmijëve me autizëm nuk kanë fund. Vera tregon për A2news se ndryshe nga shtete e tjera, në Shqipëri nuk ka lehtësira në punë për prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta. E madje kur këta fëmijë mbushin moshën 18 vjeç, prindërve të tyre u hiqet pagesa 10 mijë lekë e kujdestarisë, e madje rrezikojnë të mbeten pa pension në të ardhmen.
Ekspertët e shëndetësisë e cilësojnë autizimin krizë të shëndetit publik në mbarë botën.
Për doktor Ariel Comon kjo bëhet edhe më e ndjeshme kur shtetet nuk i përgjigjen dot nevojave të fëmijëve apo familjeve të tyre. Një në 36 fëmijë diagnostikohet me spektrin autik. Në muajin e ndërgjegjësimit ndaj këtij çrregullimi, mjekët thonë se diagnoza e saktë dhe e hershme rrit mundësitë për integrimin e fëmijës.
Në mbarë botën konstatohet rritje e numrit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik. Ende nuk dihen shkaqet e sakta të shfaqjes së autizmit, por mjekët ndërthurin faktorët gjenetikë me ata mjedisorë dhe ndërlikimet gjatë shtatzënisë së nënës.