Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi dje se policia serbe ka arrestuar dhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se dje janë ndaluar katër policë të Kosovës, njëri prej të cilëve është dërguar në mbajtje.
“Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë ndaluar, njëri është dërguar në mbajtje – zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës”, ka thënë për “KosovoOnline” MPB-ja e Serbisë.
Ata janë ndaluar gjatë kontrollit në kufijtë e Serbisë, “për shkak të kontrolleve të sigurisë”, shton MPB-ja serbe.
Gjatë ditës së djeshme, me qindra qytetarë të Kosovës u mbajtën të bllokuar nëpër kufijtë e Serbisë, në hyrje dhe dalje me Kroacinë dhe Hungarinë, për mbi 13 orë.
Ndërkaq, MPB-ja serbe tha se qytetarët e Kosovës nuk janë ndaluar vetëm pse bartin pasaporta të Republikës së Kosovës, mirëpo tha se janë shtuar “masat e sigurisë”.