Italia me disa mungesa kundër Austrisë

Italia me disa mungesa kundër Austrisë

Marco Verratti luftoi me kohën për të mos humbur Europianin dhe ia doli të rikuperohej për ndeshjen e fundit në grup, atë ndaj Uellsit, ku ndonëse pritej të luante vetëm pak minuta, përballoi një 90-minutësh të plotë.

Ndonëse ende jo në 100%-shin e tij, mesfushori vrapoi jo pak ndaj uellsianëve dhe ndihmoi në qarkullimin e shpejtë të topit, ndërsa forma e shfaqur duket se ka bindur Mancinin t’i japë sërish fanellën e titullarit për ndeshjen e fazës së 1/8-ave ndaj Austrisë, në plan për të shtunën në mbrëmje në stadiumin “Wembley”.

Por përfshirja në formacion e mesfushorit të Paris Saint Germain nuk do të jetë aspak e lehtë për trajnerin Mancini, pasi do t’i duhet të ulë në pankinë njërin mes Barellës dhe Locatellit, të dy futbollistë që kanë treguar se meritojnë të luajnë nga minuta e parë, me atë që kanë dhënë në ndeshjet e para.

Ndërkohë për ndeshjen me Austrinë nuk do të jenë në dispozicion mbrojtësi i djathtë Alessandro Florenzi dhe kapiteni Giorgio Chiellini, të cilët vijojnë me fazën e rikuperimit, pas dëmtimeve të pësuara përkatësisht në ndeshjen e parë dhe të dytë të grupit.

Plani i mjekëve është që të rikuperojnë dy mbrojtësit për sfidën çerekfinale, gjithmonë nëse “axurrët” do t’ia dalin të kualifikohen, ndërsa ndaj Austrisë nga minuta e parë pritet të luajnë Di Lorenzo në krahun e djathtë dhe Francesco Acerbi në qendër në krah të Leonardo Bonuccit.

Nuk ka dyshime ndërkohë për repartin e sulmit, pasi do të rikthehet “tredhëmbëshi” Insigne-Immobile-Berardi, të cilët kanë bërë paraqitje mbresëlënëse në dy ndeshjet e para në grup, ndërsa Chiesa dhe Belotti do ta nisin nga stoli, gati për të shfrytëzuar mundësinë që mund t’u jepet.

Italia e mbylli në mënyrë perfekte fazën e grupeve, pasi mori 9 pikët e mundshme, duke fituar të tre ndeshjet, me një bilanc fantastik prej 7 golash të shënuar dhe asnjë të pësuar, duke shpallur njëkohësisht kandidaturën për të fituar Europianin.

Related Articles