Në Berlin, kryeministri Albin Kurti takoi bashkëdrejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil dhe anëtarin e Bundestagut gjerman nga radhët e SPD-së, Frank Schwabe, njëherësh drejtues i delegacionit gjerman të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës (PACE).
Në njoftim thuhet se u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, bashkëpunimin e ngushtë, qeverisjen në vend, me theks te reformat në sundim të ligjit, progresin demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Kryeministri falënderoi deputetët gjermanë që janë pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në këtë organizatë dhe rezultatin historik të 16 prillit.
Ai tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit drejt anëtarësimit në Këshill, dhe se në bazë të regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, Kosova meriton të bëhet anëtarja e 47-të pikërisht në përvjetorin jubilar të themelimit të Këshillit të Evropës.
Gjatë takimit, Kurti dhe bashkëdrejtuesi i SPD-së, Klingbeil dhe deputeti Schwabe bisedua edhe rreth bashkëpunimit ndërpartiak në promovimin e vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë.