Janë luajtur sot dy ndeshjet e para të javës së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Feronikeli 74 ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në luftë për mbijetesë.
Ekipi i drejtuar nga Shefki Kuqi fitoi 2:1 ndaj Malishevës në “Rexhep Rexhepi”.
Florent Avdyli në minutën e 61-të shënoi për epërsinë e vendësve me gjuajtje të fuqishme nga distanca.
Shifrat nga penalltia i barazoi Drilon Hazrollaj. Për Hazrollajn ishte goli i 21-të i edicionit aktual në Superligë.
Nikoqiri fitoren e arriti me golin e Ibrahim Cërvadikut, dhjetë minuta para fundit.
Me këtë fitore, Feronikeli 74 shkon në 34 pikë në vendin e tetë, aq sa ka edhe Gjilani një pozitë më lartë.
Në anën tjetër, Malisheva mbetet e katërta me 52 pikë të grumbulluara.
E Liria ka befasuar të gjithë, duke triumfuar pas një kohe të gjatë.
Prizrenasit e mposhtën në Lipjan skuadrën e Fushë Kosovës, duke ia dhënë shtytjen përfundimtare drejt Ligës së Parë
Supergol për Lirinë shënoi Aldi Gjumsi në minutën e tretë për 1:0.
Pas gjysmë ore lojë, Ubong Ekpai e dyfishoi epërsinë për prizrenasit.
Kjo fitore nuk i kryen aspak punë Lirisë që është përshëndetur nga elita. Ata tani kanë 14 pikë, kurse Fushë Kosova gjendet në vendin e parafundit me 20 sosh.