Prej kohësh, Shqipëria po ecën në drejtimin e gabuar, duke mos qëndruar krah Kosovës.
Ky ishte qëndrimi i shprehur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Shqipëria është shumë mbrapa me agjendën për mbështetjen e Kosovës dhe reflektimit të vlerave dhe parimeve euro-atlantike në politikën e jashtme rajonale. Këtë e them pa hezitim. Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka shkuar në drejtimin e gabuar duke e konsideruar Beogradin si një partner të besueshëm, duke krijuar distanca të panevojshme nga kryeqytetet e emancipuara të rajonit, që ndajnë të njëjtat vlera dhe agjendë euro-atlantike, si për shembull Zagrebi apo Sofja dhe të tjerët”, u shpreh Basha në Euronews.
Ai shtoi se me caktimin e Aleksandar Vulin zëvendëskryeministër i Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiq i ka treguar haptazi qëllimet e tij.
“Vulin njeri është shpallur non grata sepse shihet si ithtar i Vladimir Putin në Ballkan. Por Vuçiç shkon dhe e bën zëvendëskryeministër. Vuçiq na e ka thënë, të paktën është treguar i sinqertë se do të presë rrethanat e duhura sa i takon Kosovës dhe të ashtuquajturës agjenda perandorake serbe. Për një kohë të gjatë, Vuçiç ka folur me gjuhën e Perëndimit, por ka vepruar si Moska. Ai mbështet rikrijimin e një perandorie serbe me Beogradin në qendër, me ndarjen e Republika Srpska, me Malin e Zi që përdoret si Bjellorusia e Beogradit. Si parathënie e kësaj ka shërbyer përpjekja për të marrë me forcë pjesë të Kosovës, një shtet i pavarur, duke imponuar realitetin e ndarjes së veriut të Kosovës. Ky është kërcënim ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Nuk duhet të presim që Vuçiç të hedhë zarin. Duhet ta ndalojmë tani!”
Ndaj, Basha bëri thirrje që Shqipëria të luajë një rol më proaktiv në rajon dhe të mos ngurrojë në mbështetjen ndaj Kosovës.
“Shqipëria ka një rol të madh. Nuk mund të fshihemi pas privilegjeve tona si anëtare e NATO-s, nuk mund të fshihemi pas sigurisë së aleancës tonë të afërt dhe strategjike me SHBA apo me Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në. Ne duhet të ndërmarrim hapat tona! Ja përse, prej më shumë se katër muajsh, propozimi im zvarritet në Parlament. Kam kërkuar një financim vjetor nga Shqipëria për Kosovën në ndihma ushtarake, në vlerën e 50 milionë eurove. Janë aty, por në vend që të hidhet për diskutim dhe të votohet në mënyrë unanime, është zvarritur. Kjo është shenjë e sjelljes së papërgjegjshme të Shqipërisë nën qeverisjen aktuale, sa i takon sigurisë kombëtare, asaj rajonale dhe arkitekturës euro-atlantike të sigurisë në Ballkan”.
“Duhet t’i japim fund traditës së mbështetjes folklorike për Kosovën. T’i lëmë tifozët e futbollit të shijojnë këngët patriotike, por të marrim hapa të matura dhe të vendosura që të tregojmë se për Shqipërinë është i papranueshëm çdo skenar për mënjanim të agjendës euro-atlantike nga cilido aktor rajonal dhe se jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për ta ndaluar një skenar të tillë”, përfundoi Basha.