Disidenti dhe gazetari i burgosur rus, Vladimir Kara-Murza, u nderua me çmimin Pulitzer për artikujt e tij që u botuan në Washington Post.
Kara-Murza “fitoi për rubrikat pasionante të shkruara në rrezik të madh personal nga qelia e tij e burgut, duke paralajmëruar për pasojat e mospajtimit në Rusinë e Vladimir Putinit dhe duke këmbëngulur për një të ardhme demokratike për vendin e tij”, tha Komiteti Pulitzer në një deklaratë më 6 maj.
Kara-Murza, aktualisht, është duke vuajtur një dënim me 25 vjet burgim – më i gjati që i është dhënë një kundërshtari të Kremlinit në Rusinë post-sovjetike, për diskreditim të ushtrisë ruse dhe tradhti, pas komenteve që ai bëri në fjalimet jashtë Rusisë duke kritikuar politikat e Moskës.
Kara-Murza, i cili mban pasaporta ruse dhe britanike, u arrestua fillimisht në prill të vitit 2022 pasi u kthye në Rusi nga jashtë dhe u akuzua për mosbindje ndaj një oficeri policie.
Ai u akuzua më vonë për diskreditimin e ushtrisë ruse, një akuzë që rrjedh nga agresioni i plotë i Rusisë në vitin 2022 kundër Ukrainës dhe një shtytje e Kremlinit për t’i zhdukur kritikat për këtë temë.
Ai u akuzua më vonë për tradhti, për komentet që ai bëri gjatë fjalimeve jashtë Rusisë që kritikonin politikat e Kremlinit.
Në prill të vitit të kaluar, Kara-Murza u shpall fajtor për të gjitha akuzat dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Ligjvënësit evropianë miratuan më 25 prill një rezolutë që bën thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të të gjithë të burgosurve politikë në Rusi.
Rezoluta e miratuar më 25 prill është pjesë e një mocioni të përbashkët në PE që dënon zgjedhjet “jodemokratike” presidenciale të mbajtura në Rusi dhe “zgjerimin e paligjshëm” të zgjedhjeve në territoret brenda Ukrainës që Moska ka aneksuar paligjshëm.
Rezoluta bën thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte, por edhe kompensimin e të gjithë të burgosurve politikë…. për lirimin e gazetarëve të arrestuar padrejtësisht, përfshirë Alsu Kurmashevan dhe Evan Gershkovichin, dhe familjet e tyre, për rivendosjen e lirisë së shprehjes dhe tubimit në Rusi dhe rritjen e kontrollit ndërkombëtar dhe monitorimit e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi”.
Në rezolutë, po ashtu, përmenden Vladimir Kara-Murza, Oleg Orlov, Ksenia Fadeeva, Ivan Safronov dhe Ilya Yashin, të cilët PE-ja tha se janë të burgosur politikë dhe duhet të lirohen.