Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht.
Një konflikt ku janë përdorur edhe armët e ftohta ka ndodhur sot në fshatin Ballancë të komunës së Vitisë.
Sinjali mëson se e gjitha ngjarja ka ndodhur në një rrugë, pasi një kompani ishte angazhuar për të asfaltuar rrugën në këtë fshat, ndërkohë që dy persona që mësohet të jenë babë e bir kanë penguar kompaninë.
E ‘mollë sherri’ në këtë mes ka qenë një pemë kajsie, ku dy familjarët refuzuan që ajo të pritej, pas insistimit nga kompania në mënyrë që t’i hapte rrugën për asfaltim, me ç’rast ka bërë që të tensionohet situata dhe të përdoret edhe thika.
Të ndodhur në këtë situatë, babë e bir dyshohet se e goditën me grushte një të ri që ndodhej rastësisht, e më pas edhe nxorën thikën ku i shkaktuan lëndime në qafë.
Për pasojë, viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Njësitet e Policisë kanë zbarkuar në vendin e ngjarjes dhe djali i cili është i moshës së mitur, është ndaluar nga Policia.