Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbrojti të dielën një vendim për të ndaluar dërgimin e 3,500 bombave në Izrael për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoren në qytetin Rafah të Gazës, duke thënë se Izraelit i mungonte një “plan i besueshëm” për të mbrojtur rreth 1.4 milionë civilë të strehuar atje.
Duke folur për ABC News këtë javë, Blinken tha se presidenti Joe Biden mbetet i vendosur për të ndihmuar Izraelin të mbrohet dhe se dërgesa e 3,500 bombave ishte e vetmja paketë armësh amerikane që u ndalua.
Kjo mund të ndryshojë, tha ai, nëse Izraeli fillon një sulm në shkallë të plotë në Rafah, të cilin Izraeli thotë se planifikon ta pushtojë për të çrrënjosur luftëtarët e grupit militant Hamas në pushtet.
Biden ia ka bërë të qartë Izraelit se nëse ai “fillon këtë operacion të madh ushtarak në Rafah, atëherë ka disa sisteme që ne nuk do t’i mbështesim dhe furnizojmë për atë operacion,” tha Blinken.
“Ne kemi shqetësime reale për mënyrën se si ato përdoren,” vazhdoi ai. Izraeli duhet “të ketë një plan të qartë dhe të besueshëm për të mbrojtur civilët, të cilin ne nuk e kemi parë”, shkruan Reuters.