Haki Huruglica paralajmëron: Zero tolerancë ndaj presioneve dhe manipulimeve në ndarjen e granteve në Gjilan

Haki Huruglica paralajmëron: Zero tolerancë ndaj presioneve dhe manipulimeve në ndarjen e granteve në Gjilan

Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, ka paralajmëruar se nuk do të tolerohet asnjë formë presioni, manipulimi apo ndikimi të kundërligjshëm në procesin e përzgjedhjes së përfituesve të granteve në kuadër të projektit “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”.

Përmes një njoftimi publik, Huruglica ka bërë të ditur se pas përfundimit të afatit për aplikim, prioritet mbetet zhvillimi i një procesi të drejtë, transparent dhe korrekt, ku të gjithë aplikuesit do të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ai ka sqaruar se projekti realizohet në bashkëpunim me organizatën Help in Kosovo, e cila është përgjegjëse për vlerësimin e aplikimeve, përzgjedhjen e përfituesve dhe monitorimin e zbatimit të granteve.

“Vlerësimi i aplikimeve, përzgjedhja e përfituesve dhe monitorimi i zbatimit realizohen në tërësi nga organizata Help, sipas procedurave përkatëse”, thuhet në njoftimin e tij.

Huruglica u ka bërë thirrje aplikuesve që të mos bien pre e personave që premtojnë sigurimin e granteve përmes favoreve, lidhjeve apo ndikimeve të padrejta.

Sipas tij, çdo përpjekje për manipulim, ushtrim presioni apo ndërhyrje të kundërligjshme duhet të raportohet në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Gjilanit.

“Integriteti i këtij procesi është i panegociueshëm dhe çdo pretendim për ndikim jashtë kritereve zyrtare do të trajtohet me seriozitetin e duhur”, ka theksuar Huruglica.

Ai ka shtuar se çdo raportim do të shqyrtohet me seriozitet dhe, në rastet kur ekziston bazë, do t’u përcillet organeve kompetente për trajtim të mëtejshëm.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik ka nënvizuar se përzgjedhja e përfituesve duhet të bëhet vetëm mbi bazën e kritereve të përcaktuara, integritetit dhe meritokracisë.

“Na duhet një proces i drejtë, transparencë e plotë dhe zero tolerancë ndaj ndikimeve të kundërligjshme. Integriteti i këtij procesi është përgjegjësi e përbashkët e gjithë neve”, ka përfunduar Huruglica.

Ky paralajmërim vjen pas mbylljes së afatit të aplikimit në projektin që synon zhvillimin e aftësive dhe krijimin e mundësive për punësim, në funksion të parandalimit të migrimit në Kosovë.

/Gazeta Enigma/

Related Articles