Ministria e Arsimit për herë të parë ka lansuar në platformën e-Kosova paraqitjen online të Provimit Shtetëror të Maturës, raporton Gazeta Enigma.
MASHTI tha se kjo po bëhet në funksion të zhvillimeve të proceseve digjitalizuese të sistemit të arsimit parauniversitar.
“Paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë akterëve të përshirë në proces, si: nxënësit maturantë, shkollat, komunat dhe MAShTI”, thuhet në njoftim.
Përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online.
Procesi i aplikimit për maturantët në platformën e e-Kosova do të jetë shumë i lehtë, i shpejt dhe efektiv në procesimin e të dhënave dhe adresimin e informatave, tha MASHTI.
Nxënësi (maturanti) sapo të ketë krijuar llogarinë në adresën https://ekosova.rks-gov.net/ , duhet të orientohet te dritarja duke zgjedhur opsionin Shërbime → Arsimi → Apliko për paraqitje të provimit të maturës dhe të ndjekë hapat sipas përshkrimit të paraqitur në këtë link. /Gazeta Enigma