Dështon të mbahet seanca e Kuvendit në Gjilan pasi opozita kërkon transmetim medial

Dështon të mbahet seanca e Kuvendit në Gjilan pasi opozita kërkon transmetim medial

Ka dështuar të mbahet sërish seanca e radhës e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK-AAK) ka lëshuar sallën nën arsyetimin se Komuna e Gjilanit nuk ka siguruar transmetim medial, siç ka qenë në të kaluarën, njofton Gazeta Enigma.

Komuna tha se opozitës nuk i ka mjaftuar transmetimi në kanalin zyrtar Youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në Facebook. Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së dhe Nazim Gagica, shef i AAK-së, kanë kritikuar Komunën për mungesë transparence e bashkëpunimi.

“Pa transmetim medial nuk mund të vazhdohen punimet”, janë shprehur ata.

Ndërkohë, asamblisti i VV-së, Ismajl Kurteshi, ka thënë se ka kërkuar zyrtarisht interpretim nga MAPL lidhur me situatën e krijuar, duke shtuar se ka marrë përgjigje se “Komunat janë të obliguara që të sigurojnë qasje aktive të teleprezencës ose të përdorin edhe platforma të tjera në mënyrë që të sigurohet transparencë për qytetarët dhe monitorim nga Ministria, ashtu siç është përcaktuar me udhëzimin administrativ për administratë të hapur. Por, mungesa e teleprezencës nuk përbën shkak për mos-mbajtje të mbledhjeve”.

Ai tha se mosprezenca e kamerave televizive nuk përbën shkak për të mos u mbajtuar seancat e Kuvendit Komunal, duke shtuar se tashmë kanë pushuar arsyet e LDK-së dhe PDK-së për të cilat ata kanë menduar se kanë të drejtë që të mos mbahen seancat.

Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, ka thënë se për mbajtjen e mbledhjeve të radhës do të ketë njoftim me kohë.

Përndryshe, sot ishin paraparë të mbahen dy seanca, vazhdimi i seancës se katërt, e cila është ndërprerë një muaj më parë dhe seanca e pestë me këto pika. /Gazeta Enigma

Related Articles