Nga fundi i këtij viti pesë kryeprokurorë të rinjë pritet që të zënë vendet e atyre që janë aktualisht, në pesë Prokurori Themelore të Kosovës.
Kjo pasi mandati i kryeprokurorëve aktual skadon më 1 janar të 2025-tës.
Bëhet fjalë për Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajit, Mitrovicës dhe Pejës si dhe Prokurorinë e Apelit.
“Kryeprokurori emërohet nga Këshilli për një periudhë katër (4) vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat shtesë”, thuhet në nenin 22 të Ligjit për KPK-në, transmeton Gazeta Enigma.
24 dhjetori i 2020-tës ishte data ku KPK-ja kishte përzgjedhur për kryeprokuror të Prizrenit Admir Shalën, kryeprokuror të Ferizajt, Shukri Jasharin, të Mitrovicës, Ismet Ujkanin, kurse të Pejës, Agim Kurmehajt dhe të Gjilanit, Arben Kadriun, i cili mandat për të gjithë kishte filluar më 1 janar 2021.
E po në të njëjtën datë, pra me 24 dhjetor të 2020-tës, KPK kishte përzgjedhur në krye të Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, mandati i të cilit po ashtu do të skadojë më 1 janar 2025.
Sipas rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, në nenin 5 saktësohet se KPK-ja 60 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorëve aktual, shpall konkursin për emërimin e kryeprokurorëve të rinj. /Gazeta Enigma.