Mbështetësit e partisë në pushtet në Indi, Bharatiya Janata (BJP), kanë bërë thirrje të rënda për “më shumë prishje të xhamive”, pas inaugurimit të një tempulli, njofton Gazeta Enigma.
Burrat brenda selisë së partisë në Delhi ngritën tabela dhe slogane të njohura në bazën nacionaliste hindu të ekstremit të djathtë të BJP, që thonin: “Ayodhya ishte vetëm filllimi, Kashi dhe Mathura kanë mbetur”.
Slogani i referohet tempullit hindu Ram Mandirit në Ayodhya të Indisë veriore, një tempull i ndërtuar mbi themelet e një xhamie shekullore që u shkatërrua nga turmat e linjës hindu në fillim të viteve 1990 – nxitur nga BJP dhe grupe të tjera të krahut të djathtë. Kjo shkaktoi dhunë të gjerë në Indi, e paparë në dekada.
Pjesa tjetër e sloganit i referohet xhamive në qytetin e shenjtë Varanasi, i njohur gjithashtu me emrin e tij të lashtë Kashi, dhe në qytetin Mathura në shtetin Uttar Pradesh.
“Kjo është një çështje historike dhe fetare për ne… Unë i ngrita ato slogane pasi të gjithë ndihemi tmerrësisht keq kur shohim xhamitë ku dikur ishte tempulli ynë hindu”, tha Chetan Gupta, një biznesmen 31-vjeçar dhe mbështetës i BJP.
“Si e morëm Ayodhya, do të marrim edhe Kashin dhe Mathura”, u shpreh turma.
Në janar, kryeministri Narendra Modi përuroi tempullin. Hapja u konsiderua si momenti kurorëzues i ambicieve nacionaliste hindu të Modit dhe shënoi një zhvendosje sizmike nga parimet e themelimit laik të Indisë moderne.
India është në pritje të rezultateve përfundimtare nga zgjedhjet parlamentare, me partinë e Narendra Modit që parashihet të fitojë shumicën e votave. Qytetarët e besimit Islam kanë shprehur shqetësim se një fitore e BJP do të margjinalizonte më tej popullsinë pakicë myslimane të vendit. /Gazeta Enigma