Prekazi pak ditë para vdekjes: Gjithmonë e kam ditur çfarë jam, çfarë mbiemri mbaj, u gjunjëzova e qava para shtëpisë sime të djegur nga lufta

Prekazi pak ditë para vdekjes: Gjithmonë e kam ditur çfarë jam, çfarë mbiemri mbaj, u gjunjëzova e qava para shtëpisë sime të djegur nga lufta

Prekazi pak ditë para vdekjes: Gjithmonë e kam ditur çfarë jam, çfarë mbiemri mbaj, u gjunjëzova e qava para shtëpisë sime të djegur nga lufta

Xhevat Prekazi, një prej futbollistëve të rëndësishëm të dalë nga futbolli jugosllav, ka vdekur në moshën 70-vjeçare.

Shqiptari nga Kosova, i lindur më 18 gusht 1957 në Mitrovicë, foli në një intervistë për mediumin kroat, Index vetëm pak ditë para se të vdiste.

Aty, Prekazi, një jugosllav i përjetshëm, siç e përshkruan veten, tregoi për kthimin e tij nga Turqia në Beograd në vitin 1993, ndërsa në Ballkan kishin nisur luftërat që do ta shpërbënin përfundimisht Jugosllavinë. I pyetur se sa i ndikoi lufta dhe shpërbërja e Jugosllavisë, Prekazi u shpreh kështu: “Shumë! Kjo më shkatërroi, sepse e kisha veshur fanellën e Jugosllavisë. Qëndroja gatitu dhe e dëgjoja himnin tim, për mua himnin më të bukur në botë. Dhe jo vetëm një herë, por shumë herë. Pastaj sheh se çfarë po ndodh me atë shtet”.

Pas asaj që shihte në lajme, Prekazi tha se i humbi dëshira për të luajtur futboll dhe vendosi t’i jepte fund këtij angazhimi.

“I thashë gruas: ‘Nesër shkojmë në Beograd. Nëse jo nesër, atëherë pasnesër’. Çfarë kontrate? Çfarë parash? Asgjë nga këto nuk më interesonte më. Jeca ishte një mbështetje e madhe për mua. Në atë kohë të keqe, njerëzit në martesa të përziera nuk e kishin të lehtë, por ne qëndruam bashkë dhe i mbijetuam të gjithave”, kujtoi ai.

Prekazi u pyet nëse ishte e vështirë marrja e këtij vendimi, meqenëse ai ishte shqiptar dhe kthimi në Beograd s’ishte i thjeshtë.

“Jo. Nuk kisha frikë nga kjo. Natyrisht, atëherë ndodhnin lloj-lloj gjërash. Por unë megjithatë isha i njohur. Nga ana tjetër, nuk lëvizja gjithandej. Nuk luaja më. Isha me bashkëshorten time, jetoja jetën time”, tha ai.

I pyetur nëse në kryeqytetin serb i shmangte daljet për arsye sigurie, Prekazi tha se gjithmonë e ka ditur se kush është dhe nga vjen.

“Dilja, natyrisht, por kryesisht gjatë ditës. Nëse shkoja diku, kujdesesha se ku shkoja. Jo sepse kisha frikë, por sepse nuk e di kurrë me çfarë budallai mund të ndeshesh. Budallenj ka gjithandej. Nuk dëshiroja të mendoja për këtë, por duhej të isha i kujdesshëm”.

“Ndërsa, siç të thashë në fillim të bisedës, unë gjithmonë e kam ditur kush jam, çfarë jam, nga vij dhe çfarë mbiemri mbaj. Ky ishte udhërrëfyesi im në jetë”, tha ai.

Prekazi u pyet edhe për luftën në Kosovë dhe shtëpinë e tij të djegur në Mitrovicë. 

“Po, kjo ndodhi atëherë. Të mitë më treguan pasi përfundoi gjithçka, pastaj shkova atje… Shikoja atë zbrazëti, atë që kishte mbetur nga shtëpia. U gjunjëzova dhe qava. Ja, kjo është jeta”, tha ai.

Prekazi përmendi edhe një vizitë tjetër në qytetin e tij të lindjes në vitin 2021 dhe shpjegoi zhgënjimin me ndryshimin.

“Isha në Mitrovicë edhe në vitin 2021. Isha me vëllain, po shëtisnim nëpër qytet dhe arritëm te stadiumi ku luante Trepça. Shkuam edhe në vendin ku stërvitesha. Aty nuk ka mbetur më asgjë. Fusha ku fillova të luaja futboll nuk ekziston më”, tha ai.

“Dhe i thashë vëllait: ‘Paramendo tani të vijnë turqit për të xhiruar një film për jetën time. Ku do t’i çoj? Çfarë do t’u tregoj?’ Qyteti e ka humbur atë që dikur e bënte të veçantë. Ashtu si këtu, shumë gjëra kanë ndryshuar”, shtoi ai.

Ai tha se gjithçka që gjeti ishin kujtimet.

“Shokët me të cilët jam rritur, shumë prej tyre nuk janë më në mesin tonë. Më kanë mbetur kujtimet për gjithçka që ishte e bukur, për lumin Ibër. Atje i kalonim tërë ditët, laheshim. Fqinjtë e mi, dy vëllezër, kishin biçikleta të mëdha. Njëri prej tyre ishte shoku im më i mirë. Ndonjëherë ne tre apo katër veta hipnim në një biçikletë dhe kështu shkonim për t’u larë”, tha ai.

“Disa gjëra që i kishim, që i krijuam dhe për të cilat luftuam nuk ekzistojnë më. Mbi Mitrovicë është monumenti partizan, i cili simbolizon luftën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa tani pranë tij kanë ndërtuar një kishë të madhe. Në pjesën jugore të qytetit, në vendin e tregut të dikurshëm të mrekullueshëm, kanë ndërtuar po ashtu një xhami gjigante”, shtoi Prekazi.

Related Articles