Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen, porse sipas tij tash gjithçka varet nga takimi që do të mbahet në Bruksel.
“Ky është një diskutim që duhet bërë në Bruksel, ne do të duhet të shohim mirë se çfarë do të vendosin. Tani është në dorën e shteteve anëtare, mendoj se i posaçmi i BE-së, për dialogun, ishte dje në Kosovë, ai dha mendimet e tij, masa duhet të hiqen, të shohim se çfarë vjen”, ka thënë Rohde.
Kujtojmë se i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dje qëndroi në Kosovë.
Ai pas takimit me zëvendëskryeministrin, Bislimi, Lajçak u deklarua për media, ku tha se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizimit dhe se çfarë hapa duhet të ndërmerren tutje.
“Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.
“Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, kishte thënë Lajçak. / Gazeta Enigma.