Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, duhet të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian kundër Holandës, pasi theu hundën në fitoren 1:0 ndaj Austrisë, tha të enjten trajneri Didier Deschamps.
Sulmuesi i ri i Real Madridit, i cili u lëndua në një përplasje me Kevin Danson e Austrisë, kërkoi ndihmë për të gjetur një maskë mbrojtëse në mënyrë që të mund të paraqitet kundër holandezëve të premten, në kuadër të Grupit D. Ndeshja fillon në orën 21:00.
“Gjithçka po shkon në drejtimin e duhur pas kësaj tronditjeje të madhe që ai pati me lëndimin”, tha Deschamps para gazetarëve të enjten. “Siç e keni parë, ka mundur të dilte dhe të stërvitej. Pra, është në rrugën e duhur për të siguruar që të jetë i aftë të luajë ndaj Holandës”.
Mbappe provoi maskën të enjten për herë të parë.
“Kylian Mbappe do të mbajë një maskë, por nuk keni nevojë të dini detajet rreth kësaj maske”, është shprehur Deschamps.
Në konferencë me Deschampsin u paraqit edhe sulmuesi Antoine Griezmann.
“Kyliani është duke përparuar. Ënjtja i është hequr nga hunda. Do të shohim vendimin, varësisht se si ndihet”, ka thënë Griezmann.
Franca fitoi ndaj Austrisë falë një autogoli. Ndërkohë Holanda kishte fituar 2:1 ndaj Polonisë.