Ylli 16-vjeçar i Spanjës, Lamine Yamal, nuk është në formacionin fillestar ndaj Shqipërisë sonte.
Mbase arsyeja e parë do ishte pasi Spanjës nuk i duhet medoemos një fitore ndaj Shqipërisë, por ka edhe një arsye tjetër që duket se do jetë problematike për Yamal gjatë gjithë kampionatit, pasi Spanja mund të gjobitet për paraqitjen e tij.
Rregulloret gjermane i ndalojnë ata që janë të moshës nën 18 vjeç, që të punojnë pas orës 20:00, sipas kohës lokale.
Por atletët mund të luajnë deri në orën 23:00, duke përfshirë kohën për dush dhe detyrat e medias.
Duke parë që kjo lojë do të përfundojë pak para orës 23:00, nuk ka gjasa që Lamine të jetë jashtë stadiumit në kohën e kërkuar.
Duhet të theksohet se shumica e ndeshjeve me eliminim direkt fillojnë nga ora 21:00, kështu që ky do të jetë një problem i madh për Spanjën dhe yllin e saj më të ri.
Lamine nuk i mbush 17 vjet deri një ditë pas finales së EURO 2024.
Autoritetet gjermane ende nuk kanë konfirmuar nëse Spanja do të marrë një leje të veçantë në lidhje me Lamine. /Gazeta Enigma