Kurti flet për takimin e nesërm me Vuçiqin: Do jetë në funksion të rekapitullimi të procesit trevjeçar të dialogut

Kurti flet për takimin e nesërm me Vuçiqin: Do jetë në funksion të rekapitullimi të procesit trevjeçar të dialogut

Kryeministri  Albin Kurti ka folur para mediave për takimin e nesërm në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti tha takimi do të jetë “në funksion të rekapitullimi të procesit trevjeçar të dialogut”.

“Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet para. Për bindjen time, Marrëveshja Bazike me Aneksin e Ohrit e bëjnë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje së paku de-facto në qendër”, tha Kurti.

I njëjti tha se ka pasur shkelje sistematike të marrëveshjeve nga Serbia, sidomos me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike

“Andaj, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por që nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim të marrëveshjes, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e kryeministres Bërnabiq, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike dhe prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra, nga shkelja e Marrëveshjes Bazike vijnë problemet në raportin me Serbinë”, deklaroi Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë përmendi që dje janë bërë 9 muaj prej se është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, teksa shtoi se pikërisht dje janë bërë 9 muaj që kryekrimineli i paramilitarëve terroristë, Millan Radoiçiq ndodhet në liri.

“Kemi pasur vazhdimisht tensione, nganjëherë edhe eskalime, por që të gjitha e kanë adresën sepse përgjegjësinë e fajësinë në Beogradin zyrtar”, u shpreh Kurti. /Gazeta Enigma

Related Articles