Të shtunën e 29 qershorit është mbajtur Forumi i Dubrovnikut, raporton Gazeta “Enigma”.
Pjesë e këtij Forumi ishin edhe ndihmës sekretari amerikan, James O’Brien, dhe emisari i posacëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak, është deklaruar rreth procesit të negociatave mes dy vendeve dhe për letrën që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ia ka dërguar BE-së duke mos e konsideruar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit si ligjërisht obligative.
Tutje ai ka ka thënë se BE-ja e ka thënë qartë që marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër janë ligjërisht obligative dhe ka potencuar se obligimet që dalin nga marrëveshja janë edhe pjesë formale e Kapitullit të 35-të për Serbinë, që nënkupton se janë edhe pjesë e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së.
Lajçak ka theksuar se po humbet shumë kohë për të diskutuar diçka që s’është e rëndësishme.
“Sigurisht iu takon palëve që ta caktojnë se çfarë do të thotë normalizimi. Marrëveshja që arritëm në Bruksel dhe Ohër është ligjërisht obligative në tërësinë e saj. Kjo iu është thënë palëve dhe ato janë pajtuar përgjatë takimit në Ohër”.
“BE e ka thënë disa herë që marrëveshja është ligjërisht obligative. Pjesë të kësaj marrëveshje janë bërë pjesë të kapitullit 35 që I bie se është pjesë formale e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së. Po humbim shumë kohë për diçka që s’është shumë e rëndësishme”, ka thënë Lajçak në Dubrovnik.
Drejtuesi i këtij diskutimi, gazetari i FAZ Michael Martens, e ka pyetur emisarin sllovak nëse aktualisht është duke ndërmjetësuar dialogun derisa BE-ja s’ka asgjë për t’iu ofruar në këmbim dy vendeve. Lajcak lidhur me këtë ka thënë se do të pajtohej me këtë kosntatim nëse diskutimi do të bëhej para dy vitesh, por ka shtuar se tashmë loja ka ndryshuar dhe se BE-ja është serioze sa i përket anëtarësimit.
Sllovaku ka përmendur Planin e Rritjes, narrativen zyrtare për anëtarësim gradual dhe reformat për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Emisari i BE-së ka thënë se tashmë ka një dritare të hapur për të gjitha vendet dhe ka motivuar shtetet e Ballkanit Perëndimor ta shfrytëzojnë mundësinë që s’kishte qenë më herët. Lajcak ka potencuar se kjo dritare s’do të qëndrojë e hapur përgjithmonë.
“Do të pajtohesha me ju nëse do të ma bëje këtë pyetje para dy vitesh, por jemi në një lojë tjetër tani dhe z. Kovakovic e tha. Është një momentum i ri, që erdhi vonë, por është këtu. BE është serioze sa I përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. BE po merr hapa konkretë, Plani I Rritjes është një nga ta, narrative zyrtare për anëtarësim gradual është tjetër, plani I reformave për secilin partner në Ballkan Perëndimor. BE po bëhet gati për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, që s’ka qenë rasti pesë vite më parë. Por kjo dritare e mundësisë s’do të jetë e hapur përgjithmonë. Kemi motivim më të madh për partnerët tonë që ta shfrytëzojnë këtë dritare. Perspektiva e qartë evropian është prej levave që BE ka. S’ishte këtu, por është këtu tani”, ka deklaruar Lajçak.
Lajcak ka thënë se ata që kanë kryer sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe s’ka imunitet për ta. Lajcak thotë se ky është pozicioni që BE e përsërit edhe në takimet bilaterale.
“Qëndrimi i BE-së është i qartë, ata që e kanë kryer aktet kriminale te 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe s’kanë imunitet për ta. BE këtë e thotë edhe në takime bilaterale”, ka thënë Lajçak.
Ndërsa Ndihmës Sekretari Amerikan, James O’Brien, ka thënë se Serbia ka premtuar se Radojiçiq do të kalojë përmes procesit të plotë ligjor në Serbi dhe ka potencuar se është që e mirë që tashmë duket se ai s’është aktiv në Veri të Kosovës.
Diplomati amerikan ka potencuar se SHBA dhe BE e kanë deklaruar vazhdimisht se autorët e sulmit të 24 shtatorit duhet të ndëshkohen.
“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator 2023 duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë. Kjo është pjesë e premtimit për sundim të ligjit”, ka deklaruar O’Brien.