Incidenti ku ishte përfshirë sulmuesi i kombëtarës shqiptare Mirlind Daku, bëri bujë të madhe.
Daku u komentua për vepren e tij pas ndeshjes kundër Kroacisë, e cila përfundoi 2:2.
Ai mori megafonin në dorë dhe nisi të fyente serbët dhe maqedonët, për çka futbollisti u kritikua shumë.
Për këtë, nga UEFA u dënua me dy ndeshje moslojë.
25-vjeçari për gazetën ruse Sport-Express, ka folur rreth kësaj ngjarje.
Futbollisti i Rubin Kazanit tha se për këtë skandal ndihet i turpëruar.
“Natyrisht, kjo javë ishte shumë e vështirë. Jam përballur me presion që nuk e kam pasur asnjëherë. Isha në qendër të një skandali, për të cilin jam i turpëruar. Nuk kam dashur të nxis një situatë të tillë, pa përmendur që kjo ngjalli valë reagimesh në media. Çdo gjë doli nga kontrolli. Pas gjërave si kjo, gjithnjë filloj të stresohem. Këto mendime dhe përvoja nuk më lëshojnë”, tha ai.
Mirlind Daku shtoi se ky është një nga momentet më të vështira në karrierën e tij.
“Pas ndeshjes së parë në Evropian me Italinë, mbrojtësi ynë, Elseid Hysaj, ka pranuar shumë kritika nga tifozët. Jo vetëm tifozët por edhe mediat kanë bërë presion ndaj tij. Pas ndeshjes me Kroacinë, kam dashur ta mbështes atë dhe kam shkuar së bashku me të te tribuna e tifozëve, që tifozët ta pranojnë atë, ta përkrahin dhe që të ndajmë momentin e gëzimit me të”.
“Ata më pas i dhanë atij altoparlantin dhe unë isha afër. Më pas altoparlanti ishte në duart e mia dhe unë i thash ato fjalë. Në ndeshje si ajo, tifozët shpesh lejojnë veten të bëjnë thirrje ofenduese ndaj tifozëve të vendeve tjera. Kjo atmosferë të shoqëron gjatë ndeshjes dhe të mbërthen. Ndikon te të gjithë në stadium. Ajo ndeshje kishte fund emocional – shënuam golin e barazimit në minutën e fundit dhe unë bëra debutimin në Evropian”.
“Kështu që emocionet ishin shumë të mëdha. Por kjo nuk më justifikon. Menjëherë më pas e kam kuptuar se çka kam bërë: kam thënë gjëra të papërshtatshme. Isha i shokuar që lejova emocionet të më kaplojnë dhe që lejova veten të bëj gjëra të tilla”, ka thënë Daku.
Sulmuesi nga Kosova theksoi se nuk e kishte pasur qëllim ta ofendonte asnjë popull.
“Më e rëndësishmja, nuk është dashur të them fjalë të tilla për asnjë popull. Është thjeshtë e papranueshme. Është akt i tmerrshëm dhe nuk më vendos në pozitë të mirë. Pas asaj që ndodhi federata serbe nuk ka dërguar ankesë zyrtare në UEFA. Nuk kishte ankesë specifike ndaj meje. Por e përsëris që situata nuk më vendos në pozitë të mirë. Jam pishman dhe kërkoj falje ndaj të gjithëve që janë lënduar nga ky veprim”, theksoi sulmuesi i Rubin Kazanit Mirlind Daku.