Një ekspozitë unike e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës është hapur në selinë OKB-së në Nju Jork.
Këtë e bëri të ditur Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, në një postim në rrjetin social X.
“Kjo ekspozitë, e cila përfshin artefakte, fotografi dhe video dëshmi të të mbijetuarve, është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen e kujtimit të viktimave të gjenocidit dhe ndërgjegjësimin për gjenocidin”, shkroi Qendra Përkujtimore e Srebrenicës në postim.
“Për ta bërë këtë ekspozitë realitet janë investuar shumë përpjekje dhe përkushtim dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë për ekipin tonë që punoi pa u lodhur në këtë projekt. Falenderojmë sinqerisht Misionin e Përhershëm të Bosnjës dhe Hercegovinës pranë OKB-së për mbështetjen dhe ndihmën e tyre për të bërë të mundur këtë ngjarje të rëndësishme. Faleminderit të gjithëve që kontribuuan në këtë moment historik!”, thuhet tutje në njoftim.
Në maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, i cili u krye në vitin 1995, janë gati për varrim në funeralin kolektiv më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit.
Viktima më e re që është varrosur është 17-vjeçari Beriz Mujiq, i cili u vra në korrik të vitit 1995 në Bratunac. Eshtrat e tij u zhvarrosën në maj të vitit 2023 në zonën e komunës së Srebrenicës.
Viktima më e vjetër që do të varroset në Potoçari më 11 korrik është 68-vjeçari Hamed Saliq. Eshtrat e tij u zhvarrosën në Zhepa në maj të vitit 2014.
Në Qendrën Përkujtimore në Tuzlla gjenden eshtrat e 11 viktimave të gjenocidit, të identifikuar deri më tani, por familjet ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrimin e tyre, kryesisht për shkak të paplotësimit të trupave të këtyre viktimave.
Deri më tani në Qendrën Memoriale të Potoçarit janë varrosur 6.752 viktima të gjenocidit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.