1,408 qytetarë serbë në katër komunat veriore kanë konvertuar patentë-shoferët në RKS, prej që Qeveria e Kosovës nxori vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucione jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, njofton Gazeta Enigma.
Këtë e bëri të ditur për Gazetën Enigma zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Ai tha se nga 1,408 patentë-shoferë, 430 janë lëshuar në Leposaviq, 465 në Mitrovicën e Veriut, 248 në Zubin Potok dhe 265 në Zveçan.
“Derisa vetëm nga fillimi i korrikut, 9 në Leposaviq, 17 Mitrovicën e Veriut, 14 Zubin Potok dhe 18 në Zveçan”, tha Elshani.
Ndërkohë, në total në territorin e Kosovës – 1,713 serbë kanë marrë patentë-shofer RKS.
MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.
Qeveria Kurti ka futur në fuqi këtë vendim me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024. /Gazeta Enigma