Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është formal.
Për këtë ka folur ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i cili ka shprehur publikisht interesimin e tij për ta marrë në dorë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi si përfaqësues i Bashkimit Evropian.
Pahor ka thënë se një mund të jetë një ‘ndryshues i lojës’ në dialogun Kosovë-Serbi.
“Unë jam i gatshëm për këtë pozitë, nëse emërohem. Sidoqoftë, bazuar në më shumë se 30 vite eksperiencë jashtë dhe brenda, për mua është e qarta që do ta kishte më të lehtë nëse procesi i përzgjedhjes do të bëhej në maj”.
“Në të njëjtën kohë, i them Brukselit: Unë jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe pati një përshkallëzim, dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brioni. Unë mendoj se dikush me atë lloj përvoje që vjen nga afërsia e këtij rajoni mund të bëjë ndryshimin dhe mund të jetë një ‘ndryshues i lojës’”, ka thënë Pahor për N1 slloven.
Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.
Vetë Miroslav Lajçak konfirmoi muajin e kaluar se nuk është afër fundit të mandatit të tij si i ngarkuar për t’u marrë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se puna e tij vazhdon.
“Puna ime vazhdon” dhe “nuk do të shkoj askund”, i tha ai i pyetur për punën në kuadër të dialogut.
“Ndoshta nuk jam aq afër fundit të mandatit tim sa mendohej fillimisht. Pra, ajo që mund të them është se puna ime vazhdon. Unë nuk do të shkoj askund së shpejti. Nuk jam ende në disponim për t’i dhënë këshilla pasuesit tim”, tha Lajçak.
Në prill, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, emëroi Lajçakun si ambasador të ri të BE-së në Zvicër, dhe pritet ta marrë detyrën më 1 shtator të këtij viti.
Nën Lajçakun si emisar, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por që ka mbetur kryesisht e pazbatuar.
Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.
Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Pajtim për mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, nuk sollën as mbi 7 orë takime bilaterale e trilaterale në nivel kryenegociatorësh të kësaj jave në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.