Kolegji i Gjykatës Supreme, ka marrë vendim për çështjen penale ndaj të akuzuarit Shefki Spahiu nga Suhareka, për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “manipulim me provat”, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Në seancën e kolegjit të mbajtur më 20 maj 2021, me shumicë të votave, kolegji i kësaj gjykate aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sh.S., vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale “vrasje e rëndë”, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të “vrasjes së rëndë”. Në pjesën tjetër aktgjykimi mbetet i pandryshuar.
Në seancën publike të kolegjit, të mbajtur me 20 maj, kanë marrë pjesë i akuzuari Shefki Spahiu, mbrojtësi i tij, avokati E.K., përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat A.R., të dëmtuarit H.A., e A.A.
Prokurori i Shtetit nuk mori pjesë në këtë seancë, por me parashtresë, propozoi që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimet të vërtetohen.
Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit vlerësoi rrethanat rënduese, të cilat i kanë marrë në konsideratë gjykatat më të ulëta, por theksoi posaçërisht rrethanat e kryerjes së veprës.
“Vepra penale është kryer me shkallën e lartë të dashjes. I akuzuari ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe se vepra është kryer me armë zyrtare, rrethanë e cila vlerësohet si posaçërisht rënduese nga fakti se vetë pozita e të akuzuarit ka shkaktuar pasoja jo vetëm ndaj viktimës, por edhe te besimi në institucionet e sigurisë dhe të qytetarëve në përgjithësi, pastaj rrethanat nën të cilat është kryer vepra pa ndonjë motiv, viktima ka qenë person i pambrojtur dhe nuk ka pasur mundësi të mbrohet, sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale, duke tentuar fshehjen e krimit dhe asgjësimit të provave, faktin se viktima ka qenë e moshës së re, i martuar dhe prind i fëmijëve të mitur”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Kësisoj, “në rrethanat e sipër-cekura dhe në mungesë të rrethanave lehtësuese”, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se “nuk do të mund të justifikojë shqiptimin e ndonjë dënimi më të butë se ai që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë”.