Paraditën e së shtunës, kryeministri Albin Kurti, vizitoi fushën e mbjellur me luledielli nga fermeri Shukri Sallahu në Zllatar të Komunës së Ferizajt.
Ndonëse rezultati përfundimtar i fushës së mbjellur me luledielli do të shihet në fund të muajit gusht, kryeministri Kurti shprehu përgëzime për punën e deritanishme të fermerit Sallahu i cili këtë vit mbolli 53 hektarë, derisa vitin e kaluar pati mbjellur 30 hektarë me luledielli.
“E përgëzova për punën dhe për rezultatin i cili shihet qysh tash ndonëse përfundimisht do ta shohim në fund të gushtit atëherë kur kjo fushë me luledielli do të korret dhe do të mund të ngarkohet për t’u shndërruar në vaj”, tha kryeministri.
Ai shtoi se Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka subvencionuar vitin e kaluar fermerët qe kanë mbjellur gjithsej 280 hektarë me luledielli, ndërkaq sivjet kanë pranuar aplikime për subvencionim për 1,100 hektarë me luledielli. “Ushqimi ynë në tryezat tona duhet të jetë nga toka jonë në të gjitha kulturat bujqësore që mund të bëhen në Kosovën tonë të dashur”, përfundoi Kurti.
Ndërkaq, Shukri Sallahu, fermer i fshatit Zllatar, pati falënderim të veçantë për kryeministrin. Ai tha se me lehtësimin e procedurave për aplikim dhe rritjen e subvencioneve për fermerët nga Qeveria, është rritur edhe vullneti për punë.