Ish-ministri britanik për Evropën, Denis MacShane, ka thënë se Serbia po përgatit sërish sulme në veri në Kosovës, pas atij të Banjskës në shtatorin e vitit të kaluar.
Në një intervistë për Euronews Albania, MacShane tha se Serbia nuk mund të pranojë përfundimisht poshtërimin e saj nga mposhtja.
“Dua të them, fakti i qartë është se të gjithë e dinë se çfarë ndodhi, paraushtarakët erdhën fillimisht nga veriu i Kosovës, nga zonat serbe në veriun e Kosovës, organizuan një sulm, u vranë njerëz. Po, njerëzit do ta pranojnë këtë si të vërtetë të sigurt, fatkeqësisht këto provokime janë pjesërisht pjesë e politikës serbe”, tha McShane.
“Serbia nuk mund të pranojë përfundimisht poshtërimin e saj nga mposhtja. Na pëlqen apo jo, shumë njerëz në Serbi, ende e shohin Kosovën në mënyrën që Franca e shihte Algjerinë 60-70 vite më parë, apo në mënyrën që Britania e shihte Irlandën 100 vite më parë”, deklaroi ai.
Ish-ministri britanik tha se Serbia po bën çmos për të zaptuar veriun e Kosovës.
Për Denis MacShane, Kosova shihet nga qeveria serbe si pjesë e saj e pandashme, “e si për fat të keq ende nuk është mundur të gjendet një urë komunikimi mes dy vendeve”.
“Dhe nuk kemi gjetur dikë në anën e Kosovës që ndoshta ka mundur të vendosë komunikim. E di që kjo është një kërkesë e madhe, sepse të gjithë në Kosovë, me të drejtë e shohin veten si viktima dhe serbët duhet të ndëshkohen. Por, nëse kjo gjuhë ndëshkimi dhe hakmarrjeje vazhdon, kam frikë se nuk do të ketë asnjë zgjidhje apo paqe”, tha MacShane. /Gazeta Enigma