Ministria e Drejtësisë akuzon KPK-në për “qasje destruktive dhe veprime penguese”

Ministria e Drejtësisë akuzon KPK-në për “qasje destruktive dhe veprime penguese”

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), pasi kjo e fundit dje përmes një komunikate kritikoi Qeverinë dhe Kuvendin për miratimin e ligjit në lexim të dytë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në, njofton Gazeta Enigma.

Ministria tha se shpreh keqardhje për reagimin, duke thënë se ky reagim është “në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial madje është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim  ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim”.

“Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj  “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim  bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial”, është thënë në reagimin e MD-së.

Minsitria tha se Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi.

“Pra, ndryshe nga konstatimet e pavërteta dhe aspak të qëndrueshme të Këshillit Prokurorial për qasje të njëanshme, refuzim dhe injorim të propozimeve e komenteve të përfaqësuesve të tyre, Ministria e Drejtësisë rithekson se në vazhdimësi ka ftuar përfaqësuesit e sistemit prokurorial në takimet e grupit të gjerë punues, por edhe në takimet e veçanta, duke trajtuar kështu secilin propozim të tyre dhe duke adresuar dhe pranuar të gjitha ato që janë në interes të vet reformës”.

Në fund, Ministria e Drejtësisë i bëri thirrje KPK-së të fokusohet në zbatimin e këtyre elementeve që janë “në të mirën e vet sistemit dhe të cilën reformë publiku, së bashku me reformat tjera e pret nga institucionet të cilat janë të mandatuara për të garantuar sundim të ligjit, ofruar drejtësi e mbrojtur të drejtat e njeriut”.

“Ministria e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat  penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi”, përfundoi reagimi. /Gazeta Enigma

Related Articles